Një titull kampion mund të shuajë çdo polemikë, edhe atë mes armiqve të betuar si Roberto Mançini dhe Karlos Tevez. Forma e argjentinasit që ka ndihmuar skuadrën të kthehet përsëri pretendente kryesore për titull, ka bërë që trajneri italian tashmë të lëshojë sinjale të qarta se ai dëshiron që sulmuesi të jetë pjesë e ekipit edhe sezonin e ardhshëm.
“A do të qëndrojë Tevez? Pse jo?! Ai ka një kontratë dhe është një lojtar i mirë. Po këto gjëra diskutohen në fund të sezonit. Tani për tani ne duhet të përqendrohemi te ndeshja e të dielës me Njukasëllin”, ishin fjalët e Mançinit që po planifikon ta aktivizojë përsëri si titullar sulmuesin argjentinas.
Ndërkohë, të hënën ishte vetë Tevez që deklaroi se do të dëshironte të qëndronte për një kohë të gjatë me skuadrën e Mançester Sitit. “Marrëdhënia ime me trajnerin është krejtësisht në rregull. Unë dua të punoj shumë dhe të fitoj trofe me Mançester Sitin”, ishin fjalët e sulmuesit. (LajmeShqip.com)