Roberto Mançini nuk ka ngurruar të deklarojë se Italia do të bëjë një surprizë duke eliminuar Gjermaninë për të kaluar në finalen e Euro 2012.
Të kaltrit mundën me penallti Anglinë, por në ndeshjen me skuadrën e Joakim Lëv nuk janë favoritë, pasi gjermanët shihen tani si ekipi më i mundshëm për të fituar turneun. Ndërkohë, një ditë më parë luhet sfida Portugali-Spanjë, ku sipas Mançinit do të ketë surpriza të tjera.
“Unë shoh një finale mes Italisë dhe Portugalisë. Do të jetë njëlloj si ajo që ndodhi në Ligën e Kampioneve, ku favoritet, Real Madrid e Barcelona, u larguan në gjysmëfinale”, ka komentuar trajneri italian.
Mendimin e tij e ndan edhe ish-portieri legjendar i Italisë, Dino Zof, i cili e ka drejtuar këtë kombëtare drejt finales në vitin 2000.
“Gjermania duhet të ketë kujdes, kombëtarja italiane është një ekip i rrezikshëm. Ata mund t’i shkaktojnë kujtdo probleme. Mua më ka pëlqyer Gjermania, që ka dhënë paraqitje shumë pozitive. Por ata duhet të kenë kujdes të mos përsëritin ndeshjen me Portugalinë, ku u gjendën nën trysni dhe gabuan”, ishin fjalët e portierit legjendar i cili pikërisht ndaj Gjermanisë ka fituar Botërorin e viti 1982. (LajmeShqip.com)
Gjysmëfinalet
27.06.2012
Portugali-Spanjë 20:45
28.06.2012
Gjermani-Itali 20:45