Roberto Mançini shpreson që do të fitojë duelin me Aleks Ferguson për të siguruar shërbimet e yllit të Lilë, Eden Hazard. Mesfushori është një nga lojtarët më të kërkuar të merkatos së futbollistëve, ku përveç dy ekipeve të Mançesterit, për të interesohen edhe Totenhem, Real Madrid, Milan dhe Barcelona, të cilat janë gati të bëjnë një ofertë për belgun.
Mançini ka pranuar tashmë se edhe ai dëshiron të ketë në skuadër 21 vjeçarin që pritet të kushtojë rreth 40 milionë euro.
“Më pëlqen shumë Hazard. Ai është një lojtar i mirë, është i ri dhe do të bënte gjëra të mëdha në skuadrën tonë. Duke parë cilësitë e tij teknike, Siti do të ishte destinacioni perfekt për të”.
“Unë e njoh atë si futbollist dhe kam qenë duke ndjekur për një periudhë të gjatë. Ai është një lojtar të cilin e duan shumë skuadra”, tha trajneri italian që e ka parë atë direkt në ndeshjen e muajit të kaluar mes Lilë dhe Valensien. (LajmeShqip.com)