Mançester Siti po bëhet gati të dorëzojë në zyrat e Totenhem një ofertë të parefuzueshme për transferimin e Garet Bejl. Sheikët e Katarit nuk kanë ndër mend të heqin dorë nga lojtari i krahut të majtë dhe për këtë arsye, oferta e tyre do të jetë tunduese si për futbollistin, ashtu edhe për klubin që zotëron kartonin e tij.
Sipas “Daily Mail”, pasanikët e Sitit janë gati t’i trefishojnë uellsianit rrogën aktuale, duke e çuar atë mbi 100 mijë paund në javë. Kjo do të ishte perfekte për futbollistin i cili vetëm pak ditë më parë insistoi se ishte në kërkim të pjesëmarrjes në Ligën e Kampioneve dhe mund të largohej nga Totenhem nëse ky klub nuk renditej mes katër më të mirëve në Angli. Për futbollistin është interesuar vazhdimisht edhe Barcelona, por katalanasit nuk janë në gjendje të barazojnë shifrat e çmendura të rrogave që ka vendosur Mançester Siti.
Nga kjo marrëveshje, Totenhem do të përfitojë 40 milion paund, ose një pjesë të këtyre parave dhe lojtarë. Emri i parë që kërkon Herri Redknap është transferimi përfundimtar i Emanuel Adebajor, i huazuar këtë sezon te skuadra e tij dhe që është kthyer në formë më të mirë përkrah lojtarëve si Van Der Vart e Luka Modriç. Por duket se Totenhem do të kërkojë të paktën edhe një futbollist tjetër, me Adam Xhonson dhe Nigel De Jong që janë dy alternativat më të mundshme për të ndryshuar destinacion brenda Anglisë. (LajmeShqip.com)