Mançester Siti ka bërë ankesë zyrtare në UEFA pasi Mario Baloteli dhe Jaja Ture u kthyen në objekt fyerjesh racore nga tifozët e Portos.
Zyrtarët e klubit u shprehën se kishin mbetur të tronditur kur dëgjuan këngët që kishin si objekt dy futbollistët me ngjyrë gjatë fitores 2-1 të Sitit në fushën e Portës, takim i vlefshëm për Europa League.
Anglezët kontaktuan me delegatin e UEFA-s menjëherë pas përfundimit të takimit duke raportuar ankesën e tyre, ndërsa organizmi që drejton futbollin evropian pritet të hapë një hetim rreth asaj që ka ndodhur, duke u fokusuar kryesisht te thirrjet e tifozëve në momentin kur Baloteli u zëvendësua.
Thirrjet raciste filluan që në pjesën e parë, kur Jaja Ture protestoi te gjyqtari për një faull kundër tij, ata rifilluan kur Baloteli kërkoi të kapte topin pranë vijës fundore.
Gjithsesi, shpërthimi më i madh i fyerjeve raciste ishte në momentin kur italiani la fushën e lojës për t’u zëvendësuar nga Serxho Aguero. (LajmeShqip.com)