Një gol në minutat e fundit i Dirk Kajt ka ndihmuar Liverpulin të eliminojë brenda katër ditësh nga një aktivitet kombëtar skuadrën e dytë të qytetit të Mançesterit. Këtë radhë viktime e “Reds” ka qenë Mançester Junajtid që falë humbjes 2-1 është larguar nga Kupa FA. Ager kaloi në avantazh Liverpulin por baraspesha u vendos nga Ji-Sung Park pa u mbyllur pjesa e parë. Vendimtar do të ishte goli i Kajt vetëm 2 minuta para përfundimit të ndeshjes, pasi i dha mundësinë Liverpulit të mbetej mes 16 ekipeve më të mira.
Ndërkohë, Çelsi ka fituar 1-0 në fushën e QPR në një takim mjaft të tensionuar për shkak të akuzave për fyerje raciste të Xhon Terri ndaj Anton Ferdinand. Si rrjedhojë, Federata Angleze ka lejuar që takimi të fillojë pa shtrëngimin e zakonshëm të duarve mes palëve, për të shmangur ndonjë pamje të pakëndshme. Londinezëve u ka mjaftuar një gol me 11-metërsh i Mata për ta kaluar raundin, por ky moment do të shkaktojë polemika të tjera pas vendimi për dhënien e penalltisë ishte shumë i dyshimtë.
Në ndeshjet e tjera, bie në sy suksesi i Kroulit që eliminoi skuadrën e Hull falë fitores 1-0 që i siguron pjesëmarrjen në turin e pestë të aktivitetit për të dytin vit radhazi. Stivëneixh mundi Nots Kaunti 1-0 për të siguruar për herë të parë në historinë e këtij klubi pjesëmarrjen në raundin e pestë. (LajmeShqip.com)
KUPA FA
Rezultatet
28.01.2012
QPR-Çelsi 0-1
Liverpul-M. Junajtid 2-1
Blekpul-Shefild 1-1
Bolton-Suonsi 2-1
Derbi-Stok 0-2
Hall-Krouli 0-1
Leisester-Suindon 2-0
Milluoll-Sauthempton 1-1
Sh. Junajtid-Birmingem 0-4
Stivëneixh-Nots Kaunti 1-0
Uest Bromuiç-Noruiç 1-2
Braiton-Njukasëll 1-0