Klotilde Drogba, mamaja e futbollistit të famshëm të Çelsit, Didier Drogba, ka kaluar javën e fundit duke gatuar në një kuzhinë të improvizuar në rrethinat e Molombo për tifozët e Bregut të Fildishtë që ndjekin ndeshjet e kësaj skuadre në Guinenë Ekuatoriale.
“Çdokush ka diçka që i pëlqen të bëjë. Kjo është ajo që më pëlqen mua: të bëhem e vlefshme për njerëzit. Do të mbështetja djalin tim duke bërë gjithçka, edhe nëse nuk do të ishte i famshëm. Por kjo që bëj unë nuk është për djalin tim, është për vendin tim”, ishin fjalët e zonjës Drogba e cila ka qenë kuzhiniere tifozësh edhe në Botërorin Gjermani 2006.
Ndërsa mediat kanë vrapuar për të intervistuar mamanë e një prej futbollistëve më të suksesshëm në historinë e kontinentit afrikan, ajo fillimisht ka refuzuar dhe vetëm pasi është pastruar nga mbeturinat e ushqimeve, ka pranuar që të fotografohet. “Mamaja e Drogba nuk duhet të shihet kështu”, ishin fjalët e saj.
Ndërkohë, ajo është kthyer në një personazh të dashur për tifozët, të cilët shkojnë me dëshirë të ushqehen në këtë restorant të improvizuar nën një tendë, për të konsumuar ushqimet tradicionale nga vendi i tyre, por edhe për të bërë fotografi me gruan që ka lindur idhullin e një kombi. (LajmeShqip.com)