Gana dhe Mali janë dy gjysmëfinalistët e parë të edicionit të 29-të të Kupës së Afrikës që po zhvillohet aktualisht në Afrikën e Jugut, në një aktivitet ku nuk kanë munguar surprizat.
Ganezët kanë djersitur shumë për të mundur surprizën e këtij edicioni, Kepin e Gjelbër, skuadra debutuese që këtë vit përveç eliminimit të Kamerunit në kualifikuese, largoi nga faza në grup Marokun dhe Angolën. Golat për ekipin ganez u shënuan nga zëvendësuesi Uakaso Moubarak, ndërsa duhet theksuar se i pari erdhi nga një penallti shumë e dyshimtë. Tashmë Gana pret të njohë kundërshtarin që do të dalë nga sfida e sotme mes Burkina Faso dhe Togo.
Surpriza e çerekfinaleve ka qenë eliminimi i Afrikës së Jugut, organizatore e turneut, përballë Mali. Ndonëse kombëtarja e këtij vendi ishte mbledhur me urgjencë dhe nuk ka pasur kushtet e përshtatshme për t’u përgatitur për shkak të luftës civile që ka shpërthyer në vend, ajo ka arritur të përfaqësohet mëse denjësisht duke arritur deri në gjysmëfinale. Për të kaluar Afrikën e Jugut janë dashur gjuajtjet e 11-metërshave, pasi koha e rregullt dhe shtesat u ndanë në barazim 1-1 pas golave të Ranti për vendasit e Keita për miqtë. Vendimtare ishin pritjet e portierit Sumbeila Diakite përballë gjuajtjeve të afrikano-jugorëve, të cilët realizuan vetëm 1 nga 4 tentativat e tyre, ndërsa lojtarët e Malit u treguan të saktë në të 3 tentativat nga pika e bardhë. Kundërshtari i tyre do të dalë nga sfida mes Bregut të Fildishtë dhe Nigerisë. (LajmeShqip.com)