Majlinda Kelmendi ka siguruar zyrtarisht përfaqësimin në Lojërat Olimpike Londër 2012, sipas pikëve që ka mbledhur gjatë sezonit.
Në klasifikimin e publikuar nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos, sportistja nga Peja, figuron në vendin e 6-të në botë, me 820 pikë, duke siguruar automatikisht pjesëmarrjen në aktivitetin që zhvillohet këtë verë.
Por tani mbetet për t’u përcaktuar nën cilin flamur do të garojë xhudistja e talentuar në këtë aktivitet ku ajo mund të jetë edhe pretendente për medalje.
Me 23 maj, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar do të shqyrtojë ndër të tjera edhe mundësinë apo jo të pjesëmarrjes së Kosovës në këto Lojëra Olimpike, pasi atletja kosovare pretendon me të drejtë të përfaqësojë vendin e saj. Përveç të tjerave, Federata Ndërkombëtare e Xhudos ka njohur zyrtarisht Federatën Kosovare të Xhudos. Kjo do të thotë se Kelmendi do të ngrejë lart flamurin e Kosovës në të gjitha aktivitetet ku merr pjesë.
Por çështja e Lojërave Olimpikë është disi ndryshe, pasi në këtë rast kërkohet njohja edhe “politike” e shtetit të Kosovës. Si rrjedhojë, Kelmendi mund të jetë e detyruar që të marrë pjesë nën flamurin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, ose edhe mund të zgjedhë të përfaqësojë Shqipërinë në aktivitet.
Meqë ajo është mbajtëse e pasaportës shqiptare dhe është pretendente për medalje, Kelmendi mund të preferojë që në vend që të ngrejë lart flamurin e Komiteti Olimpik Ndërkombëtar në rast fitoreje, të zgjedh të ngrejë lart flamurin kuqezi.
Për t’u vlerësuar është fakti se Kelmendi ka refuzuar një ftesë të Azerbajxhanit që i ofronte një shumë relativisht të madhe parash nëse do të pranonte të përfaqësonte këtë shtet në arenën ndërkombëtare. (LajmeShqip.com)