Majemi ka festuar në mënyrë të jashtëzakonshme titullin e dytë kampion radhazi në NBA. Pjesa më e madhe e lojtarëve përfunduan pas ndeshjes në lokalin e famshëm “Story Nightclub & LIV”, ku nuk i kursyen vetes asgjë, duke shpenzuar 100 mijë dollarë vetëm në shampanjë Dom Perinjon apo pije të tjera.
Një faturë e tillë është lehtësisht e përballueshme nga miliarderi Arison, pronari i Majemi Hit, por ashtu si një vit më parë, askush nuk ka futur dorën në xhep për ta paguar atë, në ndryshim nga Dallas Maveriks që paguan 90 mijë dollarë për pijet e konsumuar në vitin 2011 në të njëjtin lokal.
David Grutman, pronari i lokalit, është një tifoz i çmendur i Majemit dhe bëri të qartë se kjo skuadër nuk kishte pse të paguante për sa kohë që fitonte. “Ajo faturë nuk do të përfundojë kurrë në duart e skuadrës”, tha ai, duke treguar se skuadra e Majemit kishte konsumuar 100 shishe me shampanjë Dom Perinjon, me vlerën 8500 dollarë secila si dhe tre shishe prej tre litrash shampanjë të quajtura Zherobams, me vlerën 5 mijë dollarë secila.
Ndërkohë, Mark Kuban, në këtë lokal pagoi 90 mijë dollarë për shishen e shampanjës prej 15 litrash të markës Arno Brinjak, të njohur ndryshe edhe si “Asi Maç”. Pronari i Dallas Maveriks nuk u tremb nga çmimi, aq sa la një bakshish prej 22% për kamerierin që i shërbeu ekipit të tij dy vite më parë. (LajmeShqip.com)