Majemi është shumë pranë kalimit në gjysmëfinalet e Konferencës së Lindjes në NBA pasi ka çuar në 3-0 serinë ndaj Nju Jork falë fitores 87-70. Të udhëhequr nga LeBron Xhejms (32 pikë, 8 topa në tabelë, 5 pasime), finalistët e sezonit të kaluar në NBA kanë kontrolluar ndeshjen dhe janë shkëputur në periodën e fundit kur ylli i kësaj skuadre ka shënuar 17 pikë. Karmelo Entoni nuk ka mundur të bëjë dot asgjë në këtë sfidë për vendasit, i mbyllur përsëri nga mbrojtja kundërshtare, që e ka lejuar të shënojë vetëm 22 pikë. Ndeshja tjetër është të dielën dhe Majemi ka mundësinë që të mbyllë serinë dhe të presë me qetësi fituesin e duelit Indiana-Orlando.
Edhe Oklahoma po ecën e qetë drejt gjysmëfinaleve të Konferencës së Perëndimit, ndërsa ka gjetur pak rezistencë në fushën e Dallas, të cilin e ka mundur me rezultatin 95-79, për të çuar në 3-0 serinë ndaj kampionëve në fuqi. Kevin Durant me 31 pikë ishte realizuesi më i mirë për Oklahoman, ndërsa Rasëll Uestbruk i shtoi 20 pikë, duke realizuar së bashku më shumë pikë se sa 5 titullarët e Dallas (51-47). Tani duket e pamundur që ekipi teksan të arrijë të përmbysë një deficit 3-0, por të paktën do të mundohet që të shtunën të arrijë të marrë një fitore për të nderuar pjesëmarrjen në play-off. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Majemi (3)-Nju Jork (0) 87-70
Oklahoma (3)-Dallas (0) 95-79
Sonte
Atlanta (1)-Boston (1)
Çikago (1)-Filadelfia (1)
LA Leikërs (2)-Denver (0)