Humbja 2-1 përballë Bajern Mynih duket se nuk ka tronditur shumë futbollistët e Real Madrid të cilët janë të sigurt se do të arrijnë të fitojnë ndeshjen e kthimit në Spanjë dhe të kualifikohen në finalen e Ligës së Kampioneve.
Mesut Ozil, autori i golit të madrilenëve në këtë sfidë, mendon se rezultati është i mjaftueshëm që skuadra e tij të kthehet përsëri në Mynih me 19 maj.
“Të vjen keq për rezultatin 2-1 por unë jam i bindur se në fushën tonë do të fitojmë. Besojmë te forcat tona dhe jam i bindur se do të shkojmë në finale. Ndonëse humbja të trishton, kam një ndjenjë pozitive. Do të kthehemi në Mynih!”, ishin fjalët e mesfushorit gjerman të Realit.
Më i mërzituri është shfaqur Iker Kazijas, i cili ka pësuar një gol të cilin ai e mendon të parregullt, si dhe një tjetër në minutat e fundit të ndeshjes.
“Pozicioni i Luis Gustavos ishte shqetësues për mua gjatë aksionit. Ai pengoi shikimin e topit. Ndoshta nuk është dalluar menjëherë por ai ishte pozicion jashtë loje. Të vjen keq për këtë rezultat, pasi pësuam gol në aksionin e fundit. Por e rëndësishme është që ne kemi shënuar në portën kundërshtare, ndaj gjithçka do të vendoset në stadiumin tonë”, ishin fjalët e kapitenit të Realit.
Një pjesë e opinionistëve kanë fajësuar mbrojtësin Kontreao për gabimet e tij gjatë ndeshjes, e sidomos gjatë golit të dytë të gjermanëve, kur la t’i ikte Filip Lahm. Por Serxho Ramos ka bërë të qartë se fitoret dhe humbjet janë të grupit dhe jo të individëve.
“Kur fitojmë, fitojmë të gjithë. Kur humbim, humbim të gjithë. Do të jetë një gabim shumë i madh i yni nëse fajësojmë një lojtar të veçantë për këtë humbje në minutat e fundit”, tha ai, një mendim që u nda edhe nga futbollisti tjetër i repartit të mbrojtjes, portugezi Pepe, në një deklaratë të bërë në faqen zyrtare të klubit. (LajmeShqip.com)