Liga e Kampioneve do të zhvillojë të mërkurën takimin e kthimit çerekfinale mes Totenhemit dhe Realit të Madridit në “White Hart Lane”.
Ndeshja e parë në impiantin mitik të Madridit “Santiago Bernabeu” përfundoi 4-0, duke treguar dominim të lojtarëve të Mourinjos, megjithëse anglezët kërkojnë të paktën fitoren në ndeshjen e Londrës.
Jose Mourinjo, trajneri i Real Madrid, do të mbushë 500 ndeshje si teknik profesionist. Portugezi ka debutuar në pankinat profesioniste në 23 shtator të vitit 2000 dhe në 11 vitet e karrierës së tij ka arritur të fitojë 17 tituj: 6 kampionate, 3 Kupa, 3 Superkupa, 2 Kupa Lige, 2 Liga Kampionesh dhe 1 Kupë Uefa.
Në 500 ndeshjet në të cilat ka drejtuar ekipet e tij, Mourinjo ka arritur 334 fitore, 104 barazime dhe 61 humbje. Benfica, Uniao Leira, Porto, Chelsea, Inter dhe Real Madrid janë ekipet e drejtuara nga Mourinjo deri në këtë pikë të karrierës së tij.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinjo, ka thënë se nuk është i fiksuar që ta fitojë Ligën e Kampionëve këtë sezon, porse do t’i pëlqente që ta bëjë atë.
Portugezi e ka fituar trofeun dy herë, në vitin 2004 me Porton dhe vitin e kaluar me Interin, ndërsa këtë sezon ka gjasa reale për t’u kualifikuar në gjysmëfinale me Real Madridin, ku pritet të takohet me rivalin e përbetuar, Barcelonën.
“Është diçka tjetër të fitosh tre kupa me të njëjtin klub dhe ta fitosh kupën tri herë me tre klube të ndryshme, në vende të ndryshme dhe në periudha të ndryshme kohore”, është shprehu ai.
“Do të më pëlqente që ta arrija atë, kuptohet, por pa qenë i fiksuar. Jam i fiksuar në shfaqjen e ndeshjeve të jashtëzakonshme, ndeshje të cilat nuk i harron kurrë”, u shpreh portugezi përpara takimit të nesërm.
Përveç takimit të shkuar çerekfinal, këto dy skuadra janë takuar me njëra-tjetrën vetëm dy herë më parë. Flitet për sfidën që kanë zhvilluar në çerekfinalen e edicionit 1984-1985 të Kupës UEFA. Në atë vit, në “White Hart Lane”, Madridi fitoi 1-0 falë një autogoli të Stiv Perrimenit, që nuk devijoi si duhet një kros të Emilio Butragenjos. Më pas, në takimin e dytë, që u zhvillua në “Bernabeu” të dy këto skuadra e mbyllën pa gola. Atë sezon Reali mundi në gjysmëfinale Interin dhe më pas në finale mposhti me rezultatin e përgjithshëm 3-1 skuadrën hungareze të Videotonit.
Reali i Madridit këtë sezon ka fituar që të pesta takimet që ka zhvilluar në shtëpi. Në këto ndeshje, skuadra e Murinjos ka realizuar plot 15 gola. 9 herë kampionët e Evropës, në qoftë se do të arrijnë të kalojnë Totenhemin, do të shkojnë përsëri në gjysmëfinale pas një mungese të gjatë. Për herë të fundit, ata kanë arritur në këtë fazë në 2003-shin.