Ndeshja Çelsi-Barcelona është kthyer në një betejë të vërtetë mediatike mes gazetave që mbrojnë Real Madrid dhe atyre që mbrojnë Barcelonën. Nga njëra anë, gazetat madrilene “Marca” dhe “AS”, nuk humbin rast për të kujtuar se katalanasit janë favorizuar nga gjyqtarët në arenën ndërkombëtare. Nga ana tjetër, katalanasja “Mundo Deportivo”, përpiqet të vërtetojë të kundërtën, se si Barcelona është penalizuar vazhdimisht.
Shembulli më konkret i kësaj beteje është bërë sfida e Ligës së Kampioneve mes Çelsit dhe Barcelonës. “AS” ka përfituar nga rasti duke kujtuar nëpërmjet fotove penalltitë që gjyqtari Ovrebo nuk akordoi në favor të skuadrës angleze duke ndihmua Barcelonën të shkonte në finalen e edicionit 2009, që më pas e fitoi përballë Mançester Junajtid të Kristiano Ronaldos.
Nuk ka vonuar dhe brenda pak minutash, në faqen e “Mundo Deportivo” është shfaqur një video me “provat” se si Barcelona ka qenë skuadra e penalizuar në sfidën e dyfishtë me Çelsin të atij vitit. Për më tepër, gazeta katalanase akuzon direkt Murinjon dhe zëdhënësin e tij, Eladio Parames, se po orkestrojnë një fushatë mediatike për të njollosur Barcelonën.
Këto artikuj kanë sjellë debate të panumërta në forumet e tifozëve spanjollë, të cilëve u janë shtuar edhe të gjitha ata që presin me padurim si përsëritjen e sfidës Çelsi-Barcelona, ashtu edhe një përballje të mundshme mes katalanasve dhe Realit të Murinjos në finale. (LajmeShqip.com)