Diskutimet rreth zhvillimit apo jo të Çmimit të Madh të Bahreinit në Formula 1 kanë marrë një tjetër kthesë, pasi është mësuar se skuadra e Lotus F1 ka përpiluar një raport rreth zhvillimit të garës në vendin e Gjirit Persik. Pjesë të këtij raporti janë bërë publike nga organizatorët e Çmimit të Madh të Bahrein, për të provuar se gara mund të zhvillohej normalisht në këtë vend. Por më paska qenë vetë Lotus F1 që ka dënuar publikimin e raportit pasi ai ishte tërësisht konfidencial dhe se u shërbente vetëm ekipeve pjesëmarrëse në kampionat.
“Është e nevojshme që pista dhe skuadrat të ndjehen të sigurta dhe ata po e bëjnë një gjë të tillë. Nëse do të ketë protesta, do të kufizohen vetëm në ato të llojit paqësor. Ndoshta mund të ketë parulla të shpalosura dhe disa goma të djegura në rrugë, por vetëm kaq”.
“Ne u larguam nga Bahreini duke ndjerë shumë më tepër besim se çdo gjë është nën kontroll dhe po të mos ishte për disa policë më shumë, nuk do ta kuptoje ndryshimin nga hera e fundit që ishim këtu”, shkruhet në raportin e delegacionit të Lotus F1.
Publikimi i këtij informacioni konfidencial solli edhe reagimin e skuadrës që lëshoi menjëherë një deklaratë për shtyp duke bërë të qartë se ky nuk ishte një vendim, por thjesht një raport i brendshëm i bërë për të gjitha skuadrat pjesëmarrëse në kampionat.
Në të njëjtën kohë, Shoqata e Skuadrave të Formula 1, FOTA, lëshoi një deklaratë ku lë çdo vendim në dorën e Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit, FIA.
“Ka patur disa spekulime në media rreth mundësisë që skuadrat të anulojnë garën e Bahrein që zhvillohet në javën e ardhshme. Por një gjë e tillë është e pamundur pasi skuadrat nuk janë në gjendje të anulojnë një Çmim të Madh. Ne garojmë në një kampionat ndërkombëtar që quhet Kampionati Botëror i Formula 1 FIA ndaj është në dorën e FIA-s të japë udhëzime për çështje të tilla”. (LajmeShqip.com)