Fernando Lorente ka thënë se Atletik Bilbao ka rishkuar historinë duke arritur të kualifikohet në finalen e Europa League, falë suksesit 3-1 ndaj Sporting Lisbonës. Sulmuesi i kombëtare spanjolle shënoi golin vendimtar në minutën e 88-të, duke siguruar praninë e skuadrës së Marcelo Bielsës në takimin që luhet në Bukuresht me 9 maj.
“Kemi shkruar historinë dhe shpresojmë që të vazhdojmë ta bëjmë një gjë të tillë. Është diçka e jashtëzakonshme të jesh në finale dhe shpresojmë të fitojmë. Ky ishte goli më i rëndësishëm që kam shënuar për Atletik Bilbaon. Tifozeria në “San Mames” ka qenë e pabesueshme, nuk kam parë askund një gjë të tillë”, tregoi sulmuesi 27 vjeçar.
Ai ka marrë vlerësime edhe nga trajneri Marcelo Bielsa, i cili tregoi kontributin e jashtëzakonshëm të lojtarit në këtë kualifikim historik, pasi Lorente dha pasimet edhe për dy golat e parë të skuadrës spanjolle.
“Lorente ka luajtur si nuk e kam parë asnjëherë më parë që kur kam marrë drejtimin e kësaj skuadre. Duhet të them se kjo është ndeshja më e mirë që kemi bërë si kolektiv”,ishin fjalët e tij pas përfundimit të takimit. (LajmeShqip.com)