Tre futbollistë të kombëtares egjiptiane të futbollit të cilët aktivizohen në radhët e Al Ahli, Mohamed Aboutrika, Emad Moteab dhe Mohamed Barakat, kanë deklaruar se kanë lënë futbollin pasi kanë parë nga afër përplasjet vdekjeprurëse mes tifozëve në ndeshjen e tyre ndaj Al-Masri.
Aboutrika dhe Moteab treguan për “Al-Ahly TV” se ata kishin vendosur që të mos luanin më futboll pas dhunës masive që la si pasojë 74 të vdekur dhe qindra të plagosur në stadiumin e qytetit Mesdhetar të Port Said.
Mesfushori Barakat nuk hodhi poshtë mundësinë se mund të kthehej të luante një ditë, por ai tha në intervistën e tij se nuk do të zbriste në fushë derisa të kishte “shpagim për njerëzit e vdekur”.
Aboutrika dhe Barakat ishin titullarë në këtë ndeshje, ndërsa Moteab ishte një zëvendësues.
Ndërkohë, trajneri portugez i Al Ahli, Manuel Zhoze, i ka kërkuar klubit me bazë në Kajro që ta cilësojë të përfunduar kontratën mes palëve, pasi ai nuk ka ndër mend që të vazhdojë të drejtojë më këtë skuadër. Sipas mediave portugeze, ai ka qenë i terrorizuar dhe ka bërë të qartë se dëshiron të largohet sa më shpejt nga Egjipti për t’u kthyer në Portugali. (LajmeShqip.com)