UEFA ka mbledhur interesimet e 32 vendeve për organizimin e ndeshjeve të Euro 2020, në të cilën mungon Shqipëria, e cila është treguar e pa interesuar. Vendet kandidate duhet patjetër të kompletojnë dokumentacionet deri në prill të vitit 2014, kur duhet të caktojnë qytetet nikoqire. 12 qytete do të kenë rastin të presin tre ndeshje në grupe dhe një ndeshje eliminatore në të tetën e finales ose çerekfinale.
Kandidatët e paraqitur deri tani janë: Armenia (Erevan), Azerbajxhani (Baku), Bjellorusia (Minsk), Belgjika (Bruksel), Bullgaria (Sofje), Kroacia (Zagreb), Çekia (Pragë), Danimarka (Kopehnagë), Anglia (Londër), Finlanda (Helsinki), Franca (Lyon), Maqedonia (Shkup), Gjermania (Munich), Greqia (Athinë), Hungaria (Budapest), Izraeli (Jerusalim), Italia (Roma, Milano), Kazakistan (Astana), Polonia (Varshava, Hozhov), Portugalia (Lisbonë, Porto), Irlanda (Dablin), Rumania (Bukuresht), Rusia (Sankt Peterburg), Skocia (Glazgov), Serbia (Beograd), Spanja (Madrid, Barcelona, Bilbao, Valensia), Suedia (Solna), Zvicra (Basel), Turqia (Stamboll), Ukraina (Kiev, Donjeck), Uels (Cardif), shkruan portali “Asport”.
“Jemi të nderuar me interesimin e madh për tu bërë nikoqir, me më shumë se gjysma e anëtarëve tanë, që kanë dorëzuar kërkesat e tyre për organizimin e ndeshjeve të Euro 2020”, deklaroi kryetari i UEFA-s, Mishel Platini.
Mikëpritësit e Euro 2020 do të caktohen në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s më shtator të vitit 2014. /albeu/