Përfaqësuesja e Libisë e ka mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme pjesëmarrjen në Kupën e Afrikës duke marrë një fitore ngushëlluese 2-1 përballë Senegalit. Kombëtarja e vendit të përfshirë nga lufta gjatë vitit 2011, ishte një nga surprizat më të këndshme falë mbërritjes në fazën finale të turneut.
Por dygolëshi i Abousaifi nuk ka mundur ta kalojë atë në turin tjetër ku nga Grupi A do të shkojnë vendasit e Guinesë Ekuatoriale dhe Zambia. Megjithatë, trajneri Markos Pakueta e sheh pjesëmarrjen e Libisë si një sukses të jashtëzakonshëm.
“Ky është një rezultat i rëndësishëm për ne pas asaj që ndodhi në Libi dhe kushtet e vështira në të cilat jemi përgatitur. Shumë nga lojtarë tanë nuk kanë qenë duke luajtur me klube, kanë kaluar përmes një lufte të vërtetë dhe ajo ka lënë pasoja të rënda psikologjike”.
“Shpresoj vetëm që pas kësaj fitoreje, atyre do t’u krijohen kushte më të favorshme në Libi në të ardhmen”, ishte komenti i trajnerit të Libisë.
Sot luhen ndeshjet e fundit të Grupit B ku Bregu i Fildishtë ka siguruar kualifikimin, ndërsa në garë për një vend mes 8 më të mirëve mbeten Sudani dhe Angola. (LajmeShqip.com)