Trajneri i Gjermanisë, Joakim Lëv, ka hedhur poshtë çdo hipotezë të mundshme për të marrë drejtimin e Realit të Madridit në fundin e këtij sezoni.
51 vjeçari mendohet të jetë një nga prioritetet e klubit spanjoll për të zëvendësuar Zhoze Murinjon kur ky i fundit të vendosë të largohet për një aventurë të re.
“Murinjo duhet të durojë deri në vitin 2014, kur të përfundojë kontrata ime me Gjermaninë”, ishte komenti ironik i Lëv për gazetën “Abendzeitung München”. “Tani të flasim me seriozitet, ky është spekulim, asgjë më shumë. Unë jam trajneri i kombëtares gjermane dhe nuk ka shumë vende pune në botë që janë më të mira se kaq”.
“Unë nuk humb kohën me këto gjëra, jam i bindur se aktualisht, Murinjo është trajneri më i mirë për Real Madrid”, ishte komenti i teknikut gjerman rreth kësaj çështje.
Lëv, i cili mori drejtimin e kësaj kombëtareje në vitin 2006, ka marrë vlerësime mëse pozitive për punën e tij me ekipin që mbërriti dy herë radhazi në gjysmëfinalet e Kupës së Botës, ashtu si dhe në finalen e Euro 2008.
Ndonëse shumëkush e sheh Gjermaninë mes favoritëve, vetë Lëv deklaroi se Spanja vazhdon të mbetet ekipi dominues dhe pretendent kryesor për të fituar Euro 2012. (LajmeShqip.com)