Eliminimi i Gjermanisë nga Euro 2012 cilësohet si një dështim spektakolar nga mediat gjermane të cilat e trumbetonin këtë si vitin e suksesit të kësaj përfaqësueseje. Për këtë arsye, trajneri Lëv është detyruar të dalë dhe të marrë të gjitha përgjegjësitë për këtë humbje me Italinë që ka djegur më shumë se të tjerat.
“Objektivi im ishte të bllokonim Pirlon e De Rosin në mesfushë. Le të themi që ideja nuk funksionoi 100%. Marr përgjegjësitë e plota për zgjedhjet e formacionit. Por vazhdoj të mendoj se nuk ishin të gabuara, edhe golat e pësuar nuk erdhën si rrjedhojë e këtyre zgjedhjeve”.
“Nuk është e nevojshme që të vihet gjithçka në diskutim. Mos harroni që kemi një ekip të ri dhe kemi fituar të gjitha ndeshjet në një grup të fortë. Kjo skuadër do ta kalojë këtë humbje dhe do të vazhdojë të rritet. Disa vite më parë, nuk ishim në nivelin e ekipeve të mëdha. Tani që i kemi mbërritur, do t’i vëmë si objektiv ndaj vetes t’i kalojmë ata”, tha Lëv.
Më pas, ai është mundur të shpjegojë pak edhe zgjedhjet taktike të bëra për sfidën kundër Italisë.
“E pranoj që një apo dy gjëra duhej të ishin bërë ndryshe. Mario Gomez shënoi tre gola në grup dhe ishte shumë i motivuar pas sfidës me Greqinë ku nuk ishte titullar. Aktivizova Kros në mesfushë që të nxirrte nga loja Pirlon dhe De Rosin. Këto zgjedhje funksionuan vetëm në fillim, por pas pushimit u detyrova të bëj ndryshime në ekip. Italia ishte një skuadër e fortë për të cilën ishim përgatitur dhe nuk e kishim nënvlerësuar. Pas golit të parë, që ishte i evitueshëm, loja jonë u bë e çrregullt. Ishim dy herë të pasigurt në mbrojtje dhe u ndëshkuam në mënyrë brutale për këto gabime”, pranoi trajneri gjerman.
Gjithsesi, drejtuesit e Federatës Gjermane kanë deklaruar publikisht se pavarësisht këtij zhgënjimi të madh, Lëv e kishte vendin e sigurt në stolin e përfaqësueses. (LajmeShqip.com)
Grupi B
Gjermani-Portugali 1-0
73’ Mario Gomez
Holandë-Gjermani 1-2
73’ Van Persi / 23’, 38’ Mario Gomez
Danimarkë-Gjermani 1-2
24’ Krohn Dehli / 19’ Podolski, 80’ Bender
Çerekfinalet
Gjermani-Greqi 4-2
39’ Lahm, 61’ Kedira, 68’ Klose, 74’ Reus / 55’ Samaras, 89’ (p) Salpingidis
Gjysmëfinalet
Gjermani-Itali 1-2
90’+2’ (p) Ozil / 20’, 36’ Baloteli