Kombëtarja shqiptare e futbollit ka marrë një lajm mjaft të mirë për ndeshjen e muajit të ardhshëm ndaj Norvegjisë, pasi ka mësuar se futbollisti me më shumë eksperiencë i kësaj skuadre, mbrojtësi Xhon Arne Rise, ka vendosur t’i japë lamtumirën kombëtares në moshën 32 vjeçare.
Futbollisti pritej të ishte në Tiranë me kombëtaren e vendit të tij në ndeshjen e radhës së eliminatoreve të Botërorit 2014, por duket se ka parë të arsyeshme që të mendojë më shumë për karrierën në klub, pas 110 ndeshjeve të luajtur me përfaqësuesen skandinave.
“Pasi jam menduar shumë, kam vendosur të mos vazhdoj më në futbollin ndërkombëtar. Po hyj në pjesën e fundit të karrierës time dhe jam në një moshë ku duhet të marr një vendim të qartë për të arritur objektivin tim të fundit, të luaj për 4-5 vitet e ardhshme në elitën e futbollit evropian”, tha futbollisti që aktualisht vesh fanellën e Fullhem në kampionatin anglez, ndërsa në të kaluarën ka luajtur me Liverpulin, Romën e Monakon.
Duket se përballë këtij vendimi janë dorëzuar edhe drejtuesit e kombëtares norvegjeze, me në krye trajnerin Egil Olsen, i cili e ka falënderuar publikisht për kontributin e tij të jashtëzakonshëm që nga viti 2000. (LajmeShqip.com)