Ndeshja e parë e javës së 23-të të Serisë A ka sjellë një fitore mjaft domethënëse të Lacios, që ka arritur të ngjitet përkohësisht në vendin e tretë në renditje.
Bardhekaltërit kanë luajtur në “Olimpiko” përballë Çezenës, në një ndeshje që u komplikua që në fillim. Ishte Mutu që kaloi në avantazh miqtë në minutën e 14-të, ndërsa në minutën e 35-të, Jakuinta dyfishoi shifrat me një 11-metërsh. Për më tepër, Lacio u gjend edhe në inferioritet numerik, pasi në rastin e penalltisë, në minutën e 33-të, ishte mbrojtësi Konko që u ndëshkua me karton të kuq.
Por pjesa e dytë tregon një Lacio krejtësisht ndryshe, që nuk ka çfarë të humbasë dhe sulmon, ndonëse në inferioritet numerik dhe në disavantazh. Kryeqytetasit bëjnë mrekullinë brenda 10 minutash, nga e 53-ta në të 63-tën, duke shënuar me anë të Hernanes, Luliç dhe Kozak, për të përmbysur sfidën duke e çuar rezultatin në 3-2 në favor të tyre.
Me këtë sukses, Lacio ngjitet në vendin e tretë në kuotën e 42 pikëve, 1 më shumë se Udineze që luan të shtunën përballë Milanit, ekipit që mban vendin e dytë në klasifikimin e Serisë A. (LajmeShqip.com)