LA Leikërs kanë provuar edhe një herë se janë një ekip i jashtëzakonshëm kur gjenden në ekstrem. Në ndeshjen kundër Oklahoma, skuadra e Kobi Brajant e pa veten 18 pikë mbrapa në fundin e periodës së tretë, por arriti që falë lojës së yjeve të saj të barazojë ndeshjen dhe më pas ta fitojë atë 114-106 pas dy kohëve shtesë. Brajant ishte vendimtar me dy gjuajtje shumë të rëndësishme për tri pikë, ndërsa e mbylli takimin me 26 pikë, 6 topa në tabelë dhe 8 pasime. Një ndihmë shumë e madhe i erdhi nga Pau Gasol, që shënoi 20 pikë, 14 topa në tabelë dhe 9 pasime.
Humbja e Oklahomas i ka dhënë mundësinë San Antonios që të shkëputet më shumë në kreun e renditjes së Konferencës së Perëndimit. Teksanët fituan lehtësisht 114-98 kundër Kliveland, ndonëse Tim Dankan u la pushim nga trajneri Popoviç. Tashmë San Antonios i duhet vetëm një fitore në tre ndeshjet e mbetura për të siguruar matematikisht vendin e parë në Konferencë.
Një ndeshje e rëndësishme ishte ajo mes Majemit dhe Hjuston, ku LeBron Xhejms shënoi 32 pikë e 8 topa në tabelë në suksesin 97-88 për skuadrën e tij, ku mungonin për arsye dëmtimesh katër titullarët e tjerë. Ky rezultat ndikoi garën për vendin e 8-të në Konferencën e Perëndimit, duke i hequr përfundimisht mundësinë Hjuston të marrë pjesë në play-off për të tretin vit radhazi. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Nju Jork-Atlanta 113-112
Oklahoma-LA Leikërs 106-114
Toronto-Detroit 73-76
Hjuston-Majemi 88-97
Sakramento-Dallas 114-88
G. Steit-Minesota 93-88
Kliveland-San Antonio 98-114
Orlando-Denver 74-101
Nju Orlins-LA Klipërs 98-107