Mesfushori spanjoll Ksavi mendon se shoku i tij i skuadrës te Barcelona, Lionel Mesi, është në rrugën e duhur për t’u cilësuar lojtari më i mirë i të gjitha kohërave. Argjentinasi ka fituar 3 herë radhazi “Topin e Artë”, ndërsa shënoi rekordin e golave për klubin e tij ndonëse aktualisht është vetëm 24 vjeç.
Për këtë arsye, Ksavi mendon se ky futbollist mund të kalojë emra të tillë legjendarë si Pele dhe Diego Armando Maradona. “Nëse vazhdon me këtë ritëm, unë mendoj se Mesi do të bëhet futbollisti më i mirë në historinë e futbollit”, ishte pohimi i mesfushorit në një intervistë të dhënë për FIFA.com.
Ai pranoi se ishte me fat që bënte pjesë në skuadrën e Barcelonës, e cila po vlerësohet si ekipi që ka dhuruar lojën më të bukur. Por ai tregoi se do të kishte patur qejf që të luante përkrah disa legjendave të futbollit botëror gjatë karrierës së tij.
“Unë do të kisha dashur shumë që të luaja përkrah Zidan dhe Ronaldo. Por unë kam qenë me fat që kam luajtur për Barcelonën dhe ekipin kombëtar ndaj kam punuar me shumë futbollistë të mëdhenj, ashtu si njerëz të mëdhenj dhe trajnerë të mëdhenj të cilët më kanë mësuar mirë”.
“Gjithmonë një futbollist dëshiron që të takohet me yje dhe personalitete në fushën e lojës. Personalisht do të kisha dashur të isha stërvitur nga Johan Krujf, për të parë se si punonte ai, pasi kam dëgjuar gjëra të jashtëzakonshme rreth tij”, ishin fjalët e futbollistit që shumë shpejt do të veshë për herë të 700-të fanellën e klubit katalanas. (LajmeShqip.com)