Mesfushori Michael Krohn-Dehli e di shumë mirë se çfarë e pret ekipin kombëtar të Danimarkës të premten. Patjetër, një një detyrë e vështirë kundër Shqipërisë, në rrugën e kualifikueseve të Grupit I të Kampionatit Europian 2016.
Shqiptarët do të paraqiten në Kopenhagë me 10 pikë të grumbulluara në 4 përballjet e deritanishme, duke përbërë një kërcënim serioz për të tjerët në betejën për një vend në finalet e “Euro 2016”.
Duke folur për “sporten.tv2.dk”, mesfushori danez i Seviljas shprehet: “Unë pres dhe besoj se mund të fitojmë ndaj Shqipërisë, në një stadium të mbushur me tifozë. Në qoftë se duam të shkojmë në finalet e Kampionatit Europian, duhet ta fitojmë domosdo betejën e së premtes me shqiptarët, – thotë Michael Krohn-Dehli. – Mbaj mend nga ndeshja e parë se Shqipëria kishte një ekip tepër të fortë fizikisht, me një organizim të mirë mbrojtës. Ata luanin nganjëherë me gjashtë lojtarë në fazën mbrojtëse, ndërsa dilnin rrezikshëm nga krahët, në sulm, transmeton Telesport.
Jam habitur me të vërtetë me dy anësorët e mesfushës shqiptare, të cilët ishin shumë të shpejtë. Unë nuk jam aspak i befasuar nga performanca e shqiptarëve në këto kualifikuese. Ekipi nga Ballkani ka mundur Portugalinë, në fushën e kësaj të fundit, në fillim të fushatës kualifikuese të “Euro 2016”, ndërsa ka arritur fitore me Francën, në një ndeshje miqësore, së fundi. Rezultatet flasin për çka përbëjnë shqiptarët. Kurrsesi nuk është një ekip i keq, por ne duhet ta sfidojmë e ta mundim Shqipërinë.”
Të hënën, ishte e qartë se ylli i Tottenham, Cristian Eriksen mungon, do të mungonte ndaj Shqipërisë, për shkak të një dëmtimi. Gjithashtu, mbrojtësi i majtë, Nicolai Boilesen, si dhe Simon Poulsen, janë të pamundur për trajnerin Morten Olsen. Mungesa e kësaj tresheje lojtarësh nuk është diçka që e shqetëson Michael Krohn-Dehli: “Jo, për fat të mirë, nuk do t’i kemi këto lojtarë në dispozicion për ndeshjen ndaj Shqipërisë. Megjithatë, ne jemi të përgatitur. Jam i sigurt se ne kemi lojtarë të tjerë, që mund t’i zëvendësojnë të dëmtuarit”, tha ai.
Ndeshja kundër Shqipërisë do të startojë të premten, në orën 20:45, në “Telia parken”. Situata në grupin kualifikues të Danimarkës është e tensionuar para lojës së të premtes. Portugalia është në krye të grupit, me 12 pikë, përpara Danimarkës dhe Shqipërisë, me nga 10 pikë secila.
Dy ekipet e para, në fund të fushatës eliminatore, do të kenë qasje të drejtpërdrejtë në finalet e Kampionatit Europian, ndërsa ai që zë vendin e tretë e ka të garantuar të paktën edhe një ndeshje shtesë, në “play-off”. Avantazhi i shqiptarëve është se kanë luajtur një ndeshje më pak se dy favoritët e Grupit I, Danimarka dhe Portugalia. Vitin e kaluar, Krohn-Dehli dhe shokët e tij te Danimarka barazuan 1-1 në Shqipëri. Pas golit të Ermir Lenjanit, në fund të pjesës së parë, danezët vendosën ekuilibrin dhjetë minuta para bilbilit përfundimtar.