Kristiano Ronaldo ka një pasion mjaft të madh për makinat dhe me rastin e 27 vjetorit të tij, nuk i ka rezistuar tundimit për t’i bërë dhuratë vetes një makinë.
Por nuk bëhet fjalë për një makinë dosido, por pikërisht për Lamborghini Aventador LP 700-4, modeli i fundit i shtëpisë së automobilave italiane, që kushton rreth 350 mijë euro.
Lojtari ka bërë xhiron e parë me këtë makinë në Madrid të shtunën, kur ka dalë me familjen e tij për të festuar datëlindjen. Jo rastësisht, ai ka shëtitur në lagjet me të njohura të qytetit spanjoll, duke rënë në sy të kalimtarëve që kanë admiruar “pronën” e tij të re.
CR7 është kthyer në koleksionist makinash dhe me sa dihet tani ka të paktën 14 makina. Nga ato që dihen janë dy Bentli, katër Audi, dy Mercedes, një Aston Martin, një Mazerati dhe një Porshe.
Megjithatë, Ronaldo është bërë më i kujdesshëm që pas aksidentit që pësoi në shkurtin e vitit 2009. Lojtari u përplas me një pemë në rrugët e Mançester dhe shkatërroi plotësisht Ferrarin e tij, por fatmirësisht shpëtoi pa asnjë dëmtim. (LajmeShqip.com)