Tiranë – Futbollisti i kombëtares shqiptare, Kristi Vangjeli, sezonin që vjen pritet të luajë në kampionatin turk, me Ankaraguçunë. Burimet bëjnë të ditur se marrëveshja është shumë pranë, por pritet vetëm fjala e fundit e drejtuesve të skuadrës turke.
Vangjeli ka dërguar kasetat e disa ndeshjeve në kampionatin grek, por edhe të Europa Ligës, për t’i bindur turqit se është lojtar me nivel të lartë. Korçari e ka thënë hapur edhe në prononcimet e mëparshme për shtyp se në fund të edicionit ka shumë mundësi të largohet nga Arisi, për një eksperiencë të re në Europë.
Pavarësisht zërave për një kalim të mundshëm në Bundesligë, duket se mbrojtësi kuqezi është më pranë Turqisë. Mosarritja e objektivave të Arisit (u rendit në vendin e 6-të dhe nuk luan në Kupat e Europës) është një tjetër arsye për “dirvorcin” e mundshëm me futbollistin shqiptar, pa harruar edhe pagën relativisht të ulët të Vangjelit.
Ankaraguçu, e cila renditet në vendin e 9-të në kampionatin turk, me 40 pikë të grumbulluara, i ofron një kontratë më të lartë Vangjelit. Verën e kaluar në mediat greke u përfol shumë për largimin e Vangjelit, pasi ai nuk ishte në planet e Hektor Kuperit, por me këmbënguljen e korçarit ai zuri vend të padiskutueshëm në formacionin bazë.