Aitor Karanka, zëvendësi i Zhoze Murinjos, është shfaqur përsëri në konferencë për shtyp pas fitores kundër Sporting Gijon dhe në fjalët e para që ka thënë, ka sulmuar ashpër kritikët e “shefit” të tij, duke marrë shkas nga arritja e rekordit prej 107 golash në një kampionat të realizuar nga madrilenët.
“Numri i golave është rezultat i punës së një grupi lojtarësh fantastikë që po i dhurojnë gëzime të gjithëve. E meritojnë të shpallen kampionë dhe do të vazhdojnë këtë rrugë deri në fund”.
“Për ata që thonë se Murinjo është një trajner mbrojtës, këto statistika nuk janë edhe aq të këqija”, tha ai.
Sipas tij, skuadra ka bërë maksimumin dhe në fushë janë hedhur lojtarët më të mirë pasi kërkohej një fitore që të shkohej në “El Clasico” që luhet javën e ardhshme me avantazhin e katër pikëve ndaj Barcelonës.
“Ndeshja ishte e rëndësishme për të vazhduar rrugën në kampionat. Ne luajmë edhe të martën ku do të kërkojmë të marrim një rezultat sa më të mirë. Por zgjidhëm lojtarët më të mirë për këtë sfidë pasi kërkuam me çdo kush ta fitonim ndeshjen. Megjithëse situata u komplikua në fillim, ekipi qëndroi i qetë. E rëndësishme ishte që morëm tre pikë të tjera”, ishte shpjegimi i Karanka. (LajmeShqip.com)