Aitor Karanka tashmë është kthyer ndër personazhet më të rëndësishëm të Real Madrid, pasi është ai që shfaqet në konferencat për shtyp në vend të Zhoze Murinjos. Duke folur para “El Clasico” kundër Barcelonës, Karanka ka bërë të qartë se në këtë ndeshje madrilenët do të hyjnë siç kanë bërë kohët e fundit, për të sulmuar e për të shënuar gola.
“Kjo sfidë i ka të gjithë përbërësit e duhur, ka dy skuadra të mira dhe shpresoj që gjithçka të shkojë në normalitet dhe të gjithë tifozët të jenë të kënaqur. Tre herët e fundit që kemi luajtur atje kemi treguar se jemi të barabartë dhe kemi bërë gola”.
“Janë tre pikë të rëndësishme sido që të përfundojë pasi jemi shumë pranë fundit. Por cilido qoftë rezultati, do të vazhdojmë të punojmë normalisht pasi ka edhe katër takime të tjera deri në përfundim të kampionatit. Ndeshja e nesërme është e rëndësishme ashtu si edhe ajo pas saj”.
“Nuk jemi të lodhur nga ndeshja në Mynih. Para një ndeshje si ajo e të nesërmes nuk mund të jesh i lodhur. Bajerni? Në kokë kemi vetëm ndeshjen e nesërme, nuk mendojmë për asgjë tjetër”, përfundoi Karanka. (LajmeShqip.com)