Ish-trajneri i Anglisë, Fabio Kapelo, mund të jetë zëvendësuesi i Andre Vijas-Boas të Çelsi. “The Sun” thotë se dorëheqja e italianit si menaxher i Anglisë ka shtuar presionin menjëherë mbi AVB.
Një burim i Çelsit tha për gazetën britanike: “Ka shumë zëra të fortë se Kapelo po vjen dhe ai mund të jetë këtu më shpejt se sa mund të mendohet”.
Pronari Roman Abramoviç ka qenë vizitor i rregullt në terrenin e trajnimit këtë javë, shpesh në diskutim të thellë me Vijas-Boas.
Kjo nuk do të jetë hera e parë që miliarderi rus kërkon një ish-trajner të Anglisë. Në vitin 2003, ai u përpoq të marrë Sven Goran Erikson, kur suedezi ishte në kulmin e popullaritetit të tij.
Në ndihmë të Çelsit vjen edhe Inter, që ka rrëzuar nëpërmjet një komunikate zyrtare të gjitha thashethemet e shtypit rreth marrëveshjes me Kapelon.
Ky i fundi duket se do të kthehet të bëjë opinionistin sportiv për televizionin “Rai”. Por për të mos humbur 1.5 milionë paund të siguruara nga marrëveshja me Federatën Angleze, ai nuk mund të komentojë ndeshjet e kombëtares angleze gjatë Euro 2012. (LajmeShqip.com)