Fabio Kapelo ka kundërshtuar publikisht vendimin e Federatës Angleze për t’i hequr shiritin e kapitenit të përfaqësueses mbrojtësit Xhon Terri.
Masa e FA-së erdhi të premten pas konfirmimit se Terri po përballet me akuzat e abuzimit racial ndaj mbrojtësit të QPR-së Anton Ferdinand dhe se gjykata e kishte shtyre çështjen deri më 9 korrik, një javë pasi të përfundojë Euro 2012.
Duke folur për herë të parë rreth vendimit, Kapelo zbuloi se ai ia ka shprehur mosmiratimin e tij presidentit të FA, David Bernshtain dhe ai beson se vendimi duhej marrë pas gjykimit të Terr.
“Unë nuk pajtohem me këtë vendim,” tha Kapelo për “Rai1”. “Unë bisedova edhe me kryetarin, duke thënë se unë mendoj se Terri nuk mund të sanksionohet deri në një vendim të gjykatës. Kjo nuk është një gjykatë sportive, që mund të gjykojë se ai është fajtor ose jo për atë që ai akuzohet. Kjo është arsyeja pse unë mendoj se Terri duhet të mbajë shiritin e kapitenit”.
Përkundër vendimit të Federatës për t’ia hequr shiritin pas një bisede telefonike me Bernshtain të premten në mëngjes, FA ka konfirmuar se Terri është në dispozicion për të luajtur për Anglinë në miqësore si dhe në Euro 2012.
Terri edhe me parë i është hequr shiriti i kapitenit, pas akuzave se ai kishte marrëdhënie me të dashurën e ish shokut të tij, Uejn Brixh, mirëpo shiriti iu kthye në mars të vitit 2011.
Rio Ferdinand, i cili ishte emëruar si kapiten i përhershëm në vitin 2010, ka përjashtuar tashmë veten nga gara për këtë post, duke i hapur rrugë Stiven Xherard apo Frenk Lampard. (LajmeShqip.com)