Largimi i Fabio Kapelos nga stoli i përfaqësueses angleze ka hapur skenarë shumë të ndryshëm në futbollin evropian, duke e kthyer emrin e teknikut italian në një nga më të kërkuarit.
Klubi i parë që ëndërron të afrojë trajnerin 66 vjeçar është Inter, pasi presidenti i zikaltërve, Masimo Morati, e ka ndjekur prej kohësh Kapelon. Mes palëve ka patur një bisedë edhe në fillimin e vitit 2006, të ndërprerë nga procesi “Calciopoli” dhe titulli i fituar nga Kapelo me Juven që i kaloi Interit.. Por tashmë ëndrra e Moratit mund të bëhet realitet që në verë.
Hipotezë tjetër është ajo e kalimit në stolin e një skuadre angleze, me Mançester Junajtid e Totenhem që janë në vendin e parë në listë. Po vështirë se Kapelo mund të pranojë të kthehet në Angli, duke parë edhe raportin aspak të mirë me mediat vendase.
Sipas mediave italiane, hipoteza më e mundshme për momentin është Anzhi në Rusi, pas ky klub nuk do ta kishte aspak problem të paguante 8 milionë euro në sezon për rrogën e ish-trajnerit të Anglisë.
Në fund përmendet edhe emri i Real Madrid, skuadër të cilën e ka drejtuar edhe më parë duke e udhëhequr drejt një titulli kampion. Nëse Murinjo vendos të largohet, madrilenët nuk do ta kishin aspak problem ta rimerrnin trajnerin italian, duke patur parasysh se ai është një fitues i lindur dhe për më tepër njeh mjaft mirë ambientin në Spanjë. (LajmeShqip.com)