Juventusi ka fituar 2-0 në transfertë përballë Palermos dhe ka marrë përsëri kreun e renditjes së kampionatit italian, duke përfituar nga humbja në shtëpi e Milanit. Bardhezinjtë, vetëm dy javë më parë, ishin 4 pikë larg kuqezinjve, ndërsa tani e shohin veten 1 pikë para tyre, kur kanë mbetur edhe 7 ndeshje deri në fundin e kampionatit.
Juventusi ka dominuar përballë Palermos duke treguar që në minutat e para që dëshironte një sukses në këtë sfidë, duke njohur edhe rezultatin e Milanit në ndeshjen e zhvilluar në drekë. Kualjarela, Vuçiniç e Kaceres humbin tre raste të mira para portës kundërshtare dhe duhet pritur vetëm pjesa e dytë e ndeshjes, kur Bonuçi arrin të kalojë në avantazh skuadrën e tij pas një goditje nga këndi të Pirlos. Tentativat e Palermos për të barazuar nuk janë të forta dhe nga kjo përftojnë bardhezinjtë që gjejnë edhe golin e dytë me Kualjarelan, duke vulosur suksesin 2-0 në këtë sfidë shumë të rëndësishme.
Ironikisht, bardhezinjtë duhet të falënderojnë “të padëshiruarin” Amauri për vendin e parë në renditje, pasi sulmuesi i nxjerrë jashtë ekipi dhe i huazuar te Fiorentina, ka rezultuar vendimtar në fitoren e skuadrës së tij në fushën e Milanit. Kuqezinjtë kaluan në avantazh të parët me anë të Ibrahimoviç në minutë e 31-të të ndeshjes falë një penalltie të fituar nga Maksi Lopez. Por një kundërsulm i Jovetiç në fillimin e pjesës së dytë vendos barazpeshën në shifra, ndërsa vendasit duken të lodhur edhe nga sfida e të mërkurës kundër Barcelonës. Për këtë arsye, futja e Amaurit në minutat e fundit është lëvizja e duhur e Delio Rosit, pasi sulmuesi bëhet protagonist duke dërguar topin në rrjetë në minutën e 89-të, duke i shkaktuar një humbje të pamenduar kuqezinjve.
Rezultati tjetër i bujshëm i javës është humbja 4-2 e Romës në fushën e Leçes, ku kryeqytetasit kanë humbur edhe mundësinë për t’iu bashkuar skuadrave që luftojnë për një vend në Ligën e Kampioneve. Një mundësi e humbur ka qenë edhe barazimi 2-2 i Interit në Kaljari, pasi zikaltërit humbin një tjetër mundësi për të ngjitur shkallë në renditjen e kampionatit. (LajmeShqip.com)
Renditja
Palermo-Juventus 0-2
56′ Bonuçi, 69′ Kualjarela
Atalanta-Siena 1-2
9′ Skeloto / 13′ Larrondo (p), 90′ Destro
Kaljari-Inter 2-2
5′ Astori, 61′ Pinija / 7′ Milito, 64′ Kambiaso
Çezena-Bolonja 0-0
Kievo-Katania 3-2
7′ Bredli, 20′ Pelisier (p), 51′ Paloski / 32′ Andreoli (ag), 85′ Almiron
Leçe-Roma 4-2
22′, 49′ Muriel, 44′, 55′ (p) Di Mikele / 88′ Bojan, 90′ Lamela
Milan-Fiorentina 1-2
31′ Ibrahimoviç (p) / 47′ Jovetiç, 89′ Amauri
Novara-Xhenoa 1-1
68′ Maskara / 8′ Rosi
Udineze-Parma 3-1
45′, 90′ Asamoah, 56′ Di Natale / 85′ Lukareli
Renditja
Juventus 65, Milan 64, Lacio 51, Udineze 51, Napoli 48, Roma 47, Inter 45, Katania 43, Kievo 42, Palermo 39, Siena 39, Caljari 38, Atalanta 37, Bolonja 37, Fiorentina 36, Xhenoa 35, Parma 32, Leçe 31, Novara 25, Çezena 20.