Kur kanë mbetur vetëm 5 ndeshje deri në fundin e kampionatit, Juventusi i afrohet një titulli që pakkush do ta kishte imagjinuar në fillimin e këtij sezoni. Avantazhi i 3 pikëve ndaj Milanit dhe 5 ndeshje të lehta në letër ndaj Çezenës, Novarës, Leçes, Kaljarit dhe Atalantës, e bëjnë arritjen mëse të mundur, por kanë filluar që tani debatet mbi mënyrën se si do ta cilësojë klubi këtë titull, të 30-tin si do tifozeria, apo të 28-tin që është zyrtarisht pas atyre dy të hequr nga “Calciopoli”.
Juventusi mund të vendosë në fanellë yllin e tretë pranë stemës, duke filluar që nga sezoni i ardhshëm, pasi faktikisht, askush nuk e ndalon që ta bëjë një gjë të tillë. Rregullorja e aktivitetit i lejon klubet që të “zbukurojnë” si të duan fanellat, ndërsa yjet pranë stemës janë një zgjedhje individuale e klubeve, ndonëse rregulli i pashkruar thotë që një prej tyre simbolizon 10 tituj të fituar.
Vetë presidenti Andrea Anjeli mendohet të jetë një partizan i kësaj ideje, pasi prej kohësh po lufton kundër Ligës së Futbollit e sidomos Federatës Italiane, për të rimarrë titujt që i janë hequr ekipit, e për më tepër që një prej tyre i ka kaluar Interit.
Në këtë “sfidë” ndaj organeve drejtuese të futbollit italian, ai do të kishte mbështetjen e tifozerisë e cila mendon se titujt e viteve 2005 dhe 2006 u janë hequr në mënyrë të padrejtë, siç kanë kërkuar me ngulm me koreografinë në stadium gjatë ndeshjes kundër Interi me 26 mars. (LajmeShqip.com)