Ish-presidenti i UEFA-s, Lenart Johanson ka akuzuar Sep Blater se po “dikton” botën e futbollit dhe i ka bërë thirrje publike presidentit të FIFA-s të japë dorëheqjen.
Suedezi, një ish-zëvendës-president te FIFA, humbi zgjedhjet e vitit 1998 përballë Blater dhe ka parë se si zvicerani arriti të fitonte më shumë pushtet me kalimin e viteve. Ai tregoi për BBC se situata duhej të ndryshonte sa më parë, pasi nuk ishte morale që Blater të zgjidhej pa kundërshtarë për të katërtën herë radhazi, ashtu siç ndodhi vitin e kaluar.
“Nuk mund të jetë vetëm një person që vendos diktatin dhe merr vendimet për të gjithë botën e futbollit. Nuk ka mbetur shumë për të bërë, vetëm të hiqet personi në fjalë”, ishte komenti i Johanson.
Ai beson se pasardhësi i tij në drejtimin e UEFA-s, Mishel Platini, është personi i duhur për të drejtuar futbollin botëror. “Unë mendoj se ai është personi më i afërt me atë çfarë kërkoja unë dhe futbolli në përgjithësi”, përfundoi suedezi. (LajmeShqip.com)