Jaja Ture ka vendosur që të shkëputet nga ekipi kombëtar i Bregut të Fildishtë dhe të përqendrohet vetëm në fitoren e titullit kampion me Mançester Sitin gjatë sezonit të ardhshëm.
Mesfushori mungoi për 6 javë në fillimin e vitit kur me kombëtaren e vendit të tij ishte pjesëmarrës në Kupën e Kombeve të Afrikës. Mungesa e 28 vjeçarit në qendër të mesfushës u ndje shumë pasi Mançester Siti vuajti dhe pati një rënie forme, ndërsa u eliminuan në të dy Kupat kombëtare.
Ture ka pranuar se po ndjen pasojat e një sezoni të lodhshëm dhe sipas mediave angleze, ai ka diskutuar situatën edhe me miqtë dhe familjarët duke vendosur për këtë pushim nga ekipi kombëtar.
Ish-futbollistit i Barcelonës ka shfaqur zemërimin e tij edhe me trajnerin e përfaqësueses, Fransua Zahui, pasi ky i fundit refuzoi që të shtynte grumbullimin e Jaja dhe vëllait të tij Kolo para aktivitetit në janar, pas kërkesës së Mançester Sitit.
Jaja Ture është një prej lojtarëve më të paguar në radhët e skuadrës angleze me rreth 200 mijë paund në javë dhe pritet që ai të firmosë rinovimin dhe përmirësimin e kontratës ekzistuese gjatë verës. Nuk dihet nëse Kolo Ture do të vendosë të shkëputet nga kombëtarja e Bregut të Fildishtë ashtu si vëllai i tij. (LajmeShqip.com)