Trajneri i Borusia Dortmund, Jurgen Klop, ka insistuar se ai nuk ka asnjë lidhje me zërat që janë hapur në shtyp gjatë ditëve të fundit për një kthim të Zhoze Murinjos te Çelsi. Trajneri ka reaguar ndaj lajmit të publikuar në të përditshmen “Bild”, sipas të cilit tekniku gjerman kishte mësuar në një bashkëbisedim me Zhoze Murinjon se ky i fundit do të kthehej në Angli, informacion të cilin më pas ua kishte kaluar gazetarëve.
“Kjo është një histori krejtësisht qesharake. Unë nuk i kam thënë askujt se Murinjo do të shkojë te Çelsi apo ndonjë klub tjetër. Unë nuk jam një person që bën gjëra të tilla. E dëgjova këtë histori para ndeshjes tonë me Fortuna Dyseldorf dhe do ta pranoj që isha i mërzitur dhe shumë i inatosur pasi ajo është krejtësisht e rreme”.
“Kjo është një shpifje. Murinjo është një koleg dhe një mik me të cilin unë nuk do të abuzoja kurrë në këtë mënyrë”, ishin fjalët e trajnerit të Borusia Dortmund.
Klop dhe Murinjo do të takohen përsëri nesër në ndeshjen e kthimit gjysëmfinale të Ligës së Kampioneve, pasi Borusia Dortmund fitoi 4-1 ndeshjen e parë në shtëpi ndaj Real Madrid dhe është shumë pranë kalimit në finalen e madhe të 25 majit. (LajmeShqip.com)