Andres Iniesta pret një tjetër ndeshje të vështirë kundër Çelsit, por shpreson që të largohet duke festuar, ashtu si herën e fundit që ka luajtur në “Stemford Brixh” në vitin 2009. Asokohe, mesfushori shënoi golin e barazimit 1-1 në minutat e fundit për të siguruar kalimin e Barcelonës në finale në një ndeshje me shumë polemika.
“Është e dhimbshme të eliminohesh kaq pranë finales. Tani vihemi përsëri para njëri-tjetrit dhe padyshim që dëshira e tyre për të na eliminuar dhe për të shkuar në finale do të jetë domethënëse. Shpresojmë që gjërat të flasin për ne edhe këtë radhë”.
“Çelsi ka më shumë eksperiencë se tre vite më parë dhe ka lojtar të rinj të mirë si Torres e Mata. Ata janë të fortë dhe do të ndihmohen edhe nga një stadium ku ka një atmosferë të jashtëzakonshme. Ne presim një sfidë të fortë”.
Iniesta është i bindur se një vëmendje e veçantë i duhet kushtuar emrave “të zakonshëm” të kësaj skuadre si Lampard e Drogba. “Ata janë të rrezikshëm për atë që bëjnë në fushë, jo sepse janë më të vjetër apo sepse kjo mund të jetë mundësia e tyre e fundit për të fituar Ligën e Kampioneve. Duhen respektuar se janë lojtarë të mëdhenj dhe se në këtë moment janë në një formë të shkëlqyer”.
Mesfushori i Barcelonës pranoi se kjo ishte një javë vendimtare për sezonin e klubit katalanas pasi në garë është kualifikimin në finalen e Ligës së Kampioneve dhe kampionati spanjoll.
“Kjo është një javë e rëndësishme. Luajmë për finalen e Ligës së Kampioneve dhe për të zgjatur betejën e titullit në Spanjë. Por jemi të përqendruar vetëm te sfida me Çelsin, nga e enjtja do të fillojmë të mendojmë çfarë do të bëjmë ndaj Realit”, tha ai. (LajmeShqip.com)