Instituti Ndërkombëtar i Statistikave të Futbollit (IFFHS) ka shpallur renditjen e trajnerëve më të mirë të shekullit të 21-të duke u bazuar në klasifikimet nga viti 2011, deri në vitin 2011.
Sipas kësaj renditje, tekniku më i mirë për këtë shekull është skocezi i Mançester Junajtid, Aleks Ferguson, i cili në këtë renditje të veçantë ka 166 pikë. Pas tij, me vetëm një pikë diferencë renditet një tjetër trajner skuadre angleze, Arsen Venger i cili drejton Arsenalin.
Nëse dy trajnerët e parë e kanë siguruar këtë pozicion duke drejtuar vetëm një klub, vendi i tretë i takon një tekniku që ka triumfuar kudo që ka shkuar, portugezi Zhoze Murinjo. Tekniku i Realit të Madridit ka 154 pikë dhe plotëson treshen që është disi e shkëputur nga emrat e tjerë.
Lista e10 emrave të parë plotësohet nga Fabio Kapelo, Gus Hidink, Karlo Ançeloti, Visente del Boske, Marselo Bielsa, Luis Felipe Skolari dhe Rafael Benitez.
Trajneri më i suksesshëm për momentin, Pep Guardiola, është vetëm në vendin e 22-të në këtë renditje me 59 pikë, i penalizuar nga fakti se ka shumë pak vite karrierë në krahasim me emrat e mësipërm. Megjithatë, në 3 vitet ku ai ka figuruar në renditje, ai ka dalë dy herë i pari dhe një herë i dyti, duke treguar se në vitet e ardhshme do të ngjitë shkallë të tjera në këtë renditje
Renditja e IFFHS përmban emrat e 190 trajnerëve, të cilët kanë figuruar në klasifikimin vjetor të këtij institucioni. Për bazë janë marrë 20 emrat e parë në renditjen vjetore, duke i dhënë pikët në bazë të klasifikimit. (LajmeShqip.com)
Renditja 2001-2011
1. Aleks Ferguson 166
2. Arsen Venger 165
3. Zhoze Murinjo 154
4. Fabio Kapelo 135
5. Gus Hidink 112
6. Karlo Ançeloti 108
7. Visente del Boske 104
8. Marselo Bielsa 101
Luis Felipe Skolar 101
10. Rafael Benitez 97