Zlatan Ibrahimoviç ka vazhduar luftën e deklaratave ndaj Pep Guardiolës, të rifilluar pas eliminimit të Milanit nga Liga e Kampioneve pikërisht përballë Barcelonës. Këtë radhë, suedezi ka akuzuar ish-trajnerin e tij se nuk ishte sjellë si burrë gjatë kohës kur lojtari kishte qenë në radhët e ekipit spanjoll.
Ibra u largua nga katalanasit drejt Serisë A në fillimin e sezonit 2010-2011, mes zërave për konflikte të vazhdueshme mes tij dhe trajnerit, ndonëse kaloi një sezon relativisht të kënaqshëm në vitin e parë me fanellën e kësaj skuadre. Në pak më shumë se një sezon me Barcelonën ai shënoi 22 gola në 46 ndeshje ndërsa fitoi kampionatin, Superkupën e Evropës, Botërorin e Klubeve dhe dy Superkupa Spanje.
Në numrin e fundit të revistës “Four Four Two”, Ibrahimoviç flet për të disatën herë kundër ish-trajnerit të tij.
“Kur u largova nga Barcelona, i thashë vetes: Po iki nga skuadra më e mirë në botë, pasi është një person që ka probleme me mua”, shpjegoi ai.
“Ai nuk është burrë, pasi nuk më tregon cili ishte problemi. Por unë do të bëhem burrë dhe do të largohem pa e ditur se cili është ky problem”.
“Për rreth dy muaj po sillesha vërdallë duke kërkuar përgjigje por unë nuk gjeta të tilla. Si përfundim thashë: ‘Kështu nuk ia vlen, nuk kam nevojë për gjëra të tlla. Do të shkoj diku ku e di që do të marr përgjigje dhe mund të luaj ashtu siç di unë’”.
Që nga kalimi te Milani, Ibrahimoviç ka luajtur në 77 ndeshje për skuadrën italiane, ndërsa ka shënuar 50 gola për të ndihmuar ekipin e tij të rifitojë titullin kampion në Itali. (LajmeShqip.com)