Gus Hidink ka arritur sot akordin për t’u bërë trajner i ri i Anzhi Makhashkala, klubit rus i cili është në pronësi të multimiliarderit Suleiman Kerimov.
Holandezi ka nënshkruar një kontratë 18 mujore, ndërsa lajmërimi zyrtar do të bëhet brenda 24 orëve të ardhshme. Vetë trajneri pritet t’i bashkohet ekipit në fazën përgatitore që po zhvillon në Turqi.
Kjo lëvize e Hidink pritet të ketë ndikim edhe në klubet e famshme evropiane, pasi si fillim, Vijas–Boas e ka ende vendin e sigurt te Çelsi, ku Abramoviç shihte vetëm holandezin si zëvendësuesin e tij të mundshëm. Në të njëjtën kohë, pritet të mësohet fati i Fabio Kapelos, i cili ishte një nga kandidatët e tjerë për të marrë stolin e ekipit rus.
Hidink ka qenë në Moskë gjatë ditëve të fundit dhe ka nënshkruar kontratën e cila pritet t’i sigurojë atij një pagë prej 10 milionë eurosh në vit.
Një nga pikat e diskutimit ka qenë hapja e një akademie për këtë skuadër që deri tani është mjaftuar vetëm duke bërë blerje të bujshme, pa menduar për talentin vendas.
Megjithatë, sipas mediave ruse, ai do të ketë në dorë një buxhet të pakufizuar për të blerë futbollistët që i nevojiten, pasi merkatoja e dimrit në Rusi nuk është mbyllur ende. (LajmeShqip.com)