Gazeta italiane “La Repubblica” ka botuar një hetim rreth çështjes së trukimeve të ndeshjeve në kampionatin italian dhe nga sa thuhet nga vetë prokurorët e çështjes, sezoni i kaluar në Serinë A duhet të cilësohet i parregullt.
Roberto Di Martino, prokurori i Kremonës që po merret direkt me dosjen e basteve, ka qenë shumë i qartë në deklaratën e tij. “Kampionati i kaluar i Serisë A ka qenë i parregullt. Shumë skuadra kanë kompromentuar ndershmërinë e luftës për të rënë nga kategoria, të tjera atë të pjesëmarrjes në Europa League, të tjera ndeshje të veçanta. Duke i mbledhur të gjitha bashkë, sasia e ndeshjeve të trukuara është e tillë sa duhet cilësuar i kompromentuar i gjithë turneu”, ishin fjalët e tij.
Dëshmitë e reja të siguruara nga Prokuroria e Kremonës dhe Barit, provojnë në mënyrë të pakundërshtueshme që janë të paktën 14 takimet e sezonit të kaluar në Serinë A që janë të trukuara. Personi që ka bërë të mundur këtë rrjet trukimesh është i ashtuquajturi “Cigani”, Hristian Ilievski, i cili sipas prokurorisë ka kaluar gjithë vitin duke shëtitur në stadiume dhe hotelet ku grumbulloheshin skuadrat, duke blerë lojtarë dhe ndeshje.
Shembulli më i qartë është Lacio-Xhenoa e 14 majit, ku trukohet rezultati me pjesën e parë (1-1) dhe e gjithë ndeshja (4-2), pasi Ilievski ia konfirmon nëpërmjet celularit përgjegjësit të basteve, Tan Seet Eng nga Singapori. Ky i fundit, sipas vetë të përfshirëve në çështje, është në gjende të lëvizë brenda 3 minutash baste për 1 milionë euro për një ndeshje të Serisë A, ndërsa i duhen 15 minuta për të spostuar të njëjtën shumë për një ndeshjet të Serisë B.
Ndeshje të tjera të sigurta janë Leçe-Lacio 2-4, Bari-Sampdoria 0-1, Bari-Roma 2-3, Bari-Palermo 1-2, Breshia-Bolonja 3-1. Ndërkohë vazhdon mbledhja e provave shtesë për Napoli-Sampdoria 4-0, Breshia-Kievo 0-3, Breshia-Bari 2-0, Xhenoa-Roma 4-3, Bari-Kievo 1-2, Parma-Bari 1-2, Kievo-Sampdoria 0-0. Sipas hetuesve po shihet edhe ndeshja Inter-Leçe 1-0, ku sipas informacioneve nga lojtarë të përfshirë, akordi nuk ishte arritur pasi lojtarët e Interit ishin tërhequr pak minuta para fillimit të ndeshjes.
Prokuroria e Barit ka bërë të ditur se shumë shpejt do të publikoje të gjithë dosjen, e cila rrezikon jo vetëm të sjellë hapjen e çështjeve penale për lojtarë e skuadra, por edhe të vulosë përfundimisht dështimin e një kampionatit të tërë. (LajmeShqip.com)