Bajern Mynih ka patur një motivim të dyfishtë për të synuar eliminimin e Real Madrid në ndeshjen e të mërkurës. Përveç aspektit tërësisht sportiv, klubit gjerman nuk i ka pëlqyer mënyra se si është trajtuar nga Florentino Perez dhe drejtuesit e tjerë madrilenë në darkën zyrtare para ndeshjes së luajtur në “Santiago Bernabeu”.
Uli Hënes, presidenti i Bajern, ka konfirmuar edhe një herë që marrëdhëniet mes dy klubeve mbeteshin mjaft armiqësore duke i kërkuar trajnerit të tij, Jup Heinkes, që të dyfishonte sforcon për të mundur ekipin madrilen.
“Jup, duhet t’i mundësh këta. Nuk më pëlqeu darka. Ishin arrogantë. Duhet t’i mundim dhe t’i japim një leksion. Ata ishin kaq arrogantë…”, mësohet të kenë qenë fjalët e Uli Hënes para ndeshjes, siç ka raportuar “Süddeutsche Zeitung”.
Suksesi i arritur nga Jup Heinkes dhe hakmarrja ndaj mënyrës së si është trajtuar presidenti Hënes duket se do të vlerësohet me një kontratë të re. Këtë e ka zbuluar shefi i klubit bavarez, Karl Hainc Rumenige.
“Nëse ai dëshiron, mund të qëndrojë te ne edhe më shumë se kontrata aktuale që Heinkes ka, e cila përfundon në vitin 2013”, tha Rumenige për gazetën “Bild”. “Ai nuk do të japë dorëheqjen nëse fiton Ligën e Kampioneve. Nuk është nga ata njerëz”. (LajmeShqip.com)