Bazeli po mendon si të shtojë të ardhurat në arkat e klubit duke shitur një tjetër mesfushor të talentuar kosovar, Granit Xhakën. Drejtori sportiv i klubit zviceran, Georg Heitz, ka treguar se për futbollistin interesohen disa nga klubet më të mëdha evropiane dhe se çmimi i tij nuk do të jetë aspak i ulët.
Z. Heitz, rreth Granit Xhakës flitet për interesim të klubeve shumë të rëndësishme si Juventus, CSKA Moskë dhe Mançester Junajtid. Çfarë mund të na thoni rreth kësaj çështje?
“Nuk më pëlqen të them emra, mund të them vetëm që klubet që e kërkojnë janë të shumtë, jo vetëm këto që përmendët”.
Mendohet që Juventus ju ka ofruar që tani 10 milionë euro dhe që CSKA po mendon të bëjë të njëjtën ofertë…
“Edhe në këtë rast nuk më pëlqen të flas, as mbi prejardhjen e ofertave, as mbi shifrën. Gjithsesi, mund të konfirmoj se janë bërë disa oferta zyrtare dhe zyrtarisht për momentin mund t’ju konfirmoj vetëm atë të Hamburgut”.
Ajo ka qenë e vetmja zyrtare?
“Jo, ka patur edhe të tjera”.
A janë 10 milionë euro shuma e duhur për ta lënë të largohet?
“E përsëris që nuk më pëlqen të flas për shifra, por bëhet fjalë për një lojtar që ka fituar Botërorin me Kombëtaren e moshave dhe i kanë mbetur edhe 3 vite e gjysmë kontratë me ne. Nëse do ta lëmë të largohet, nuk kemi ndër mend ta dhurojmë…”.
Duken shumë të larta mundësitë për ta parë të largohet në verë…
“Ndershmërisht, për momentin qëllimi ynë është ta mbajmë. Por pastaj në futboll nuk i dihet asnjëherë se çfarë mund të ndodhë”.
Mes klubeve të interesuara është edhe CSKA dhe në Rusi merkatoja është ende e hapur…
“E përsëris, mund të ndodhë, por ne jemi ende në Ligën e Kampioneve dhe në një periudhë kaq të rëndësishme për ne, do të jetë shumë e vështirë që të heqim dorë nga një futbollist kaq i rëndësishëm për sezonin tonë”. (LajmeShqip.com)