Antonio Konte ka filluar të kthehet në një personazh gjithnjë e më simpatik sa herë që shfaqet në konferencat për shtyp falë batutave të tij. Meqë Juventusi tashmë është në vendin e parë, për Konten ka ardhur koha që të hakmerret ndaj mediave të cilat nuk e vlerësonin në fillimin e sezonit.
“Falënderoj mediat pasi tani flasin për Juventusin si favorit, që do të thotë se më në fund kjo skuadër merr vlerësimin e duhur. Por unë kam një arkiv tekniko-taktik të artikujve dhe intervistave”.
“Shpesh rilexoj ato që shkruheshin në fillimin e sezonit: në gusht Juventusi ishte një skandal, nuk kishte blerë superlojtarë dhe trajneri cilësohej një taleban taktike… Në gjashtë muaj kemi kaluar nga vendi i 7-të në pretendentë, kjo është një mrekulli!”, ishin fjalët e Kontes në konferencën për shtyp para sfidës me Sienën.
Sipas tij, favoritët kryesorë për të fituar titullin mbeten kuqezinjtë e Milanit, ndërsa gjithçka do të vështirësohet për shkak të ngjeshjes së kalendarit. “Unë mendoj se Milani është favorit i dukshëm për të fituar titullin. Ne do të luajmë ndaj Sienës dhe më pas do të përballemi me ta në Kupën e Italisë”.
“Tani do të luajmë çdo tre ditë dhe për shkak të kushteve atmosferike luajmë 5 ndeshje në 13 ditë. Si rrjedhojë, mos u çuditni nëse shihni lojtarët që shënojnë dygolësha të përfundojnë ne pankinë, pasi më duhet të bëj zgjedhje për të mirën e objektivave të skuadrës”, komentoi trajneri i Juventusit. (LajmeShqip.com)