Tekniku i Barcelonës, Pep Guardiola, mendon se tifozët kanë të drejtë të protestojnë për formën që po kalon skuadra, e cila ka humbur terren në kampionat. Fituesit e La Liga dhe Ligës së Kampionëve sezonin e kaluar janë shtatë pikë mbrapa rivalit të përjetshëm Real Madrid.
Barça mori vetëm barazim 0-0 në Vijareal të shtunën, duke e bërë edhe më të vështirë mundësinë që ta fitoj La Liga këtë sezon.
“Tifozët kanë të drejtë të jenë kritik, sepse ata presin që ne gjithmonë të fitojmë”, ka thënë Guardiola. “Ata kanë të drejtë të jenë të pakënaqur për shkak se në kampionat, jashtë fushës ne nuk kemi fituar pikët e mjaftueshme. Është e qartë se ata kanë të drejtë të ankohen”.
Trajneri i katalanasve shpreson që ekipi i tij do të fitojë kundër Valencias në ndeshjen e parë të Kupës së Mbretit që zhvillohet sot. Por ai e di se skuadra e tij do të përballet me një test të ashpër nga njerëzit e Unai Emeri.
“Çdo herë që ne kemi luajtur kundër Valencias gjatë katër viteve të fundit, ata kanë qenë gjithmonë një ekip i jashtëzakonshëm. Ata janë të fortë në të gjitha pozicionet. Për ne kjo është një provë e madhe”, deklaroi Guardiola. (LajmeShqip.com)