Pep Guardiola është shfaqur më i qetë para gazetarëve pas përfundimit të takimit të Ligës së Kampioneve të fitua përballë Bajer Leverkusen. Tekniku i fituesve në fuqi të turneut ka dhënë fillimisht shpjegimet për mungesat e lojtarëve të rëndësishëm, ku Ksavi dhe Pike e kanë ndjekur takimin nga tribuna.
Sipas tij, ky nuk ishte një ndëshkim për Pike, i cili ka shfaqur një formë të dobët gjatë javëve të fundit. “Nuk ka një moment negativ të lojtarit dhe Pike nuk është inatosur prej vendimit tim. Ai e di që e dua si futbollist dhe gjatë këtyre katër viteve kemi vendosur shpeshherë që ka lojtarë që qëndrojnë në tribunë. Xherard është i paprekshëm për ne. Sot thjesht desha që të luanim kështu dhe preferova që Bartra të ishte në pankinë”, deklaroi Guardiola rreth kësaj çështje, duke shtuar se Ksavi nuk kishte rikuperua ende ndaj kishte përfunduar në tribunë.
Duke iu kthyer ndeshjes, tekniku katalanas vlerësoi edhe një herë atë që shfaqi skuadra në pjesën e dytë. “Kemi luajtur mirë, por sidomos në pjesën e dytë të ndeshjes, duhet të bënim më shumë në fillimin e saj. Gjermanët na vunë në vështirësi fizikisht pasi janë më të fortë në vrapim. Gjermanët janë problematikë pasi mendojnë se mundët të të shënojnë në çdo moment. Ata kanë vetëbesim të madh ndaj të shënonim 3 gola në fushën e tyre ishte një gjë shumë e mirë”.
“E di që njerëzit mendojnë që i vetmi rezultat i mirë për ne është fitorja 4-0. Ne Pikturohemi sikur ne nuk jemi në një formë të mirë por ju them se këta djem janë artistë në artin e konkurrimit, ndaj këto thashetheme janë të kota”, u shpreh ai.
Në fund nuk mund të mungonin vlerësimet për Lionel Mesin, në një tjetër natë të jashtëzakonshme për talentin argjentinas. “Mesi është lojtari më i mirë. Jemi me fat që e kemi në skuadrën tonë. Sulmuesit kanë nevojë për gola që të ndjehen mirë, por Mesi e ka kaluar prej kohësh këtë fazë. Ai shënoi një gol të bukur dhe bëri aksione po aq të bukura. Sa për Sançez, do të kisha dashur të mos e mbaja aq shumë në fushë. Ai ka bërë një punë shumë të mirë, pas arrin të mbulojë gjithë fushën dhe unë jam i lumtur për këto suksese personale që po arrin”, përfundoi trajneri i katalanasve. (LajmeShqip.com)