Pep Guardiola mendon se skuadra duhet t’i marrë ndeshjet me radhë dhe si rrjedhojë, duhet të mendojë vetëm për ndeshjen e kampionatit kundër Osasunës. Për këtë arsye, ai ka preferuar që të mos përdorë rotacionin duke grumbulluar titullarët për sfidën e Pamplonës.
“Formacioni i skuadrës nuk do të ndikohet nga ndeshja me Bajer Leverkusen në Ligën e Kampioneve. Ndoshta mund të ndikohet nga fakti që kemi luajtur ndeshje çdo tre ditë në muajin janar i cili ka patur një kalendar shumë të ngjeshur. Mendoj se e rëndësishme është të përshtatemi sa më mirë me fushën pasi më kanë thënë se është krejtësisht e ngrirë dhe do ta kemi shumë të vështirë”, u shpreh ai.
As Guardiola nuk ka hequr ende dorë nga titulli kampion, ndonëse e pranon se do të jetë shumë e vështirë. “Të rekuperosh 7 pikë është gjithmonë e vështirë dhe të rimarrim vendin e parë ndaj një rivali të tillë do të jetë edhe më e vështirë. Nëse nuk ia arrijmë, nuk duhet të trishtohemi. Por me këta lojtarë që kam në dispozicion, jam gjithmonë optimist”.
Në fund nuk ka munguar një batutë për Kupën e Mbretit dhe kualifikimin në finale. “Është një kualifikim që na jep mundësinë të luajmë për 2 trofe nga 6 që mund të synojmë në sezon. Objektivi ynë është të bëjmë më të mirën dhe tifozët duhet të na besojnë. Do të më pëlqente shumë që të luanim finalen në “Santiago Bernabeu”, pasi është një stadium i shkëlqyer, por e kuptoj nëse Reali nuk do”, përfundoi Guardiola. (LajmeShqip.com)