Iturralde Gonzalez, gjyqtari i ndeshjes së famshme Barcelona-Real të përfunduar me rezultatin 5-0 në favor të katalanasve, ka thyer heshtjen tradicionale të “xhaketave të zeza” për të kritikuar Zhoze Murinjon. Trajneri portugez e ka cilësuar këtë të fundit shumë shpesh si një arbitër pro-Barcelonës duke përmendur çdo herë emrin e tij si një shembull për të mos u ndjekur nga gjyqtarët e tjerë.
Por në një prononcim të dhënë për “Onda FM”, Gonzalez nuk është kursyer aspak kundër Murinjos, duke hapur një debat që pritet të vazhdojë në ditët e ardhshme.
“Nëse flet me gjyqtarët italianë apo anglezë, e kupton menjëherë se çfarë mendojnë për Murinjon. Mjafton të shohësh se çfarë ka bërë në kampionatet e tjera për të kuptuar se këtu në Spanjë po përdor të njëjtën taktikë komunikimi. Nuk është se po shpik rrotën, po përsërit gjërat që ka bërë te Çelsi e Inter”.
“Mua më duket shumë interesant fakti që ai vendosi të largohej nga Porto vetëm pak para se të shpërthente skandali për favoret e blera nga gjyqtarët për të ndihmuar ekipin e tij të fitonte titullin në Portugali”, tha ai.
Më pas, gjyqtari ka hedhur poshtë të gjitha akuzat e bëra në favor të tij nga trajneri portugez. “Më kujtohet që në një ndeshje Barcelona-Betis që ishte vendimtare për titullin kampion, lejova që të gjuhej me shpejtësi një goditje dënimi, e cila u kthye në gol nga Sobis. Kishte polemika të panumërta kundër vendimit tim, i cili i dha mundësinë atëherë Real Madrid të fitonte titullin kampion”, deklaroi Gonzalez. (LajmeShqip.com)